Nga kultura te shëndetësia, investimet publike me realizimin më të dobët në 9-mujor
Investimet publike mbeten pas planit, me 103.4 miliardë lekë të pashpenzuara deri në shtator 2026.

Investimet publike vijojnë të kenë një ecuri të dobët gjatë vitit 2026, duke regjistruar nivele të ulëta realizimi në raport me planifikimin buxhetor, veçanërisht në sektorë të rëndësishëm si ujësjellësit, shëndetësia, arsimi dhe kultura. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit janë realizuar vetëm 59.7 miliardë lekë investime, nga 163.2 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin e vitit 2026, ose 36.6% e totalit.
Sipas raportit të investimeve qendrore për periudhën janar–shtator 2026, rreth 103.4 miliardë lekë, ekuivalente me afërsisht 1.1 miliardë euro, ose 63.4% e fondeve të programuara për vitin, mbeteshin të pashpenzuara në fund të shtatorit. Ecuria rezulton veçanërisht e dobët në disa sektorë, ku realizimi i investimeve nuk arrin as 20% të buxhetit vjetor. Kultura, trashëgimia, sporti dhe rinia, transporti hekurudhor, detar dhe ajror, si dhe emergjencat civile janë ndër zërat me nivelin më të ulët të realizimit.
Kultura dhe sporti, vetëm 8.3 për qind e fondeve të shpenzuara
Investimet në kulturë, trashëgimi, sport dhe rini kanë regjistruar ecurinë më të dobët gjatë nëntëmujorit 2026. Nga rreth 2.95 miliardë lekë të parashikuara për këtë sektor, deri në fund të shtatorit ishin realizuar vetëm 244 milionë lekë, ose 8.3% e totalit. Rreth 2.7 miliardë lekë mbeteshin të pashpenzuara.
Një tjetër sektor me realizim të ulët është transporti hekurudhor, detar dhe ajror. Nga afro 6 miliardë lekë të programuara për të gjithë vitin, janë shpenzuar vetëm 790 milionë lekë, ose 13.2% e fondeve. Diferenca ndërmjet buxhetit të planifikuar dhe investimeve të realizuara arrin në rreth 5.2 miliardë lekë.
Edhe investimet për emergjencat civile kanë mbetur ndjeshëm pas planifikimit. Nga 4.53 miliardë lekë të vëna në dispozicion, janë realizuar vetëm 721 milionë lekë, ose 15.9% e totalit. Fondet e pashpenzuara arrijnë në 3.81 miliardë lekë. Ky nivel i ulët realizimi regjistrohet në një periudhë kur fatkeqësitë natyrore, përfshirë zjarret gjatë verës dhe përmbytjet në dimër, po shkaktojnë dëme të konsiderueshme ekonomike.
Energjia dhe mjedisi, realizim nën 25 për qind të buxhetit
Energjia është një tjetër sektor me realizim të dobët të investimeve publike, në nivelin 21.3%. Nga 2.46 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2026, deri në fund të shtatorit janë shpenzuar vetëm 524 milionë lekë.
Në sektorin e mbetjeve dhe mjedisit, realizimi i investimeve arrin në 23.5%. Nga 9.92 miliardë lekë të programuara, janë shpenzuar 2.33 miliardë lekë, ndërsa rreth 7.59 miliardë lekë mbeteshin ende të parealizuara.
Nivele të ulëta realizimi regjistrohen edhe në sektorin e peshkimit dhe ekonomisë detare, ku deri në fund të nëntëmujorit ishin shpenzuar vetëm 26.6% e fondeve të programuara për vitin.
Mbrojtja, vetëm 27.1 për qind e investimeve të realizuara
Në vlerë absolute, një nga diferencat më të mëdha ndërmjet planifikimit dhe realizimit të investimeve publike regjistrohet në sektorin e mbrojtjes dhe ushtrisë. Nga 31.9 miliardë lekë të programuara për investime gjatë vitit 2026, deri në fund të shtatorit janë realizuar vetëm 8.66 miliardë lekë, ose 27.1% e totalit.
Fondet e pashpenzuara në këtë sektor arrijnë në rreth 23.25 miliardë lekë, duke përbërë diferencën më të madhe në vlerë absolute ndërmjet zërave kryesorë të investimeve publike.
Realizim nën mesataren e përgjithshme regjistrohet edhe në investimet për zhvillimin territorial dhe urban, ku janë shpenzuar 6.09 miliardë lekë nga 17.77 miliardë lekë të programuara, ose 34.3% e totalit. Ndërkohë, në sektorin e teknologjisë, administratës dhe institucioneve, niveli i realizimit të investimeve është 35.6%.
Shëndetësia, arsimi dhe ujësjellësit, mbi gjysma e fondeve të pashpenzuara
Investimet në tre sektorë të rëndësishëm të shërbimeve publike, shëndetësi, arsim dhe ujësjellës-kanalizime, kanë ecur gjithashtu me ritme të dobëta gjatë nëntëmujorit 2026. Në të tre sektorët, më shumë se gjysma e fondeve të programuara për vitin mbeteshin të pashpenzuara në fund të shtatorit.
Shëndetësia ka regjistruar nivelin më të ulët të realizimit ndërmjet këtyre sektorëve. Nga rreth 5 miliardë lekë të parashikuara për investime, janë realizuar vetëm 1.82 miliardë lekë, ose 36.1% e totalit. Rreth 3.22 miliardë lekë mbeteshin të pashpenzuara.
Në arsim dhe kërkim shkencor, realizimi është më i lartë, por sërish nën gjysmën e buxhetit të programuar për vitin 2026. Nga 7.16 miliardë lekë të planifikuara, janë shpenzuar 3.12 miliardë lekë, ose 43.6%, ndërsa rreth 4 miliardë lekë mbeteshin të parealizuara deri në fund të shtatorit.
Ujësjellësit dhe kanalizimet kanë një buxhet investimesh dukshëm më të madh se dy sektorët e tjerë. Nga 14.38 miliardë lekë të programuara, janë realizuar 6.14 miliardë lekë, ose 42.7% e totalit. Fondet e pashpenzuara në këtë sektor arrijnë në 8.25 miliardë lekë.
Infrastruktura rrugore kryeson me 58.5 për qind të investimeve të realizuara
Infrastruktura rrugore rezulton sektori me vlerën më të madhe të investimeve të realizuara, si dhe me përqindjen më të lartë të realizimit ndërmjet grupeve kryesore të investimeve publike.
Nga 31.4 miliardë lekë të programuara për ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore gjatë vitit 2026, deri në fund të shtatorit janë shpenzuar 18.37 miliardë lekë, ose 58.5% e fondeve.
Megjithatë, edhe në këtë sektor, që paraqet ecurinë më të mirë krahasuar me fushat e tjera, mbeteshin rreth 13 miliardë lekë për t'u shpenzuar gjatë tre muajve të fundit të vitit.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se realizimi i investimeve publike gjatë periudhës janar–shtator 2026 mbetet dukshëm nën nivelin e fondeve të programuara për të gjithë vitin. Me vetëm 36.6% të buxhetit vjetor të realizuar dhe rreth 103.4 miliardë lekë ende të pashpenzuara, një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara mbetet për t'u financuar gjatë tremujorit të fundit, veçanërisht në sektorët e kulturës, transportit, emergjencave civile, mbrojtjes dhe shërbimeve publike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)